Projekti i kogjenerimit: rritja e furnizimit me ngrohje dhe ulja e emetimit të CO2

Projekti i Kogjenerimit i financuar nga BE-ja është një hap në drejtimin e duhur për të siguruar furnizimn me ngrohje shumë të nevojshme për qytetarët e Kosovës gjatë dimrit. Ky ishte përfundimi me të cilin u pajtuan panelistët gjatë diskutimit Efiçienca e Energjisë – Kogjenerimi dhe Ngrohja e Qytetit në Prishtinë. Diskutimi u organizua si pjesë e fushatës për mjedisin #JEPIMUNDËSIGJELBËRIMIT, e financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian.

Pjesëmarrësit e debatit patën mundësinë të mësojnë më shumë për rëndësinë e efiçincës së energjisë, si dhe të shkëmbejnë idetë rreth përmirësimit të mjedisit në Kosovë. Projekti i Kogjenerimit është një shembull i prekshëm i zgjidhjes afatgjate për sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova lidhur me efiçiencën e energjisë. Me një investim prej 13.8 milionë eurosh, BE-ja synon të përmirësojë funksionimin e ngrohtores së qytetit në Prishtinë duke ulur kështu edhe emetimin e CO2 në Kosovë. Përmes ndërtimit të një lidhjeje me tuba midis rrjetit të ngrohjes ‘Termokos’ në Prishtinë dhe termocentralit ‘Kosova B’, ky qëllim tani është bërë realitet.

Libor Chlad, Zëvendës Shef i Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë/PPBE, përmendi rezultatet pozitive që ka projekti për qytetarët e Prishtinës. Jo vetëm që ajri do të jetë më pak i ndotur, por edhe 12.000 amvisëri dhe 60.000 qytetarë do të ndiejnë përfitimet e këtij projekti dhe do të kenë furnizim 24 orë me ngrohje. Megjithatë, sipas Chlad, sektori i energjisë në Kosovë ende përballet me sfida të mëdha; intensiteti i energjisë është rreth katër herë më i lartë se mesatarja e BE-së; dhe sektori i energjisë mbetet një nga ndotësit më të mëdhenj në Kosovë. Prandaj Chlad bën thirrje për një debat mbarëkombëtar mbi mënyrën e ngritjes së furnizimit dhe sektorit të energjisë në Kosovë. “Shikoni brenda Kosovës për burime energjie, dhe përdorni teknologjitë e reja të disponueshme”, theksoi Chlad.

Shpend Ahmeti, kryetari i Prishtinës, ishte i të njëjtit mendim me panelistët. Projektin e Kogjenerimit ai e quajti “një privilegj”, por i cili tashmë kërkon zgjerim të mëtejmë. “Kosova duhet të ulë përdorimin e drurit dhe qymyrit si burime energjie dhe më shumë qytetarë duhet të lidhen me ngrohtoren e qytetit”, tha Ahmeti. Kjo është arsyeja pse Kosova së bashku me BE-në, tani përqendrohet në krijimin e ngrohtoreve qendrore në mbarë vendin në Kosovë. BE do të mbështesë këto angazhime të ardhshme dhe do të përmirësojë mjedisin në Kosovë me 19 milionë euro shtesë në kuadër të fondeve IPA 2015.

Pra, le t’i japim mundësi gjelbërimit dhe të vazhdojmë rritjen e furnizimit me ngrohje dhe të bëjmë përmirësime për të mbrojtur mjedisin në Kosovë.