EMRI I PROJEKTIT:

Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenueshme në tregun e punës Numri i kontratës: 2021/430-829

SECTORI:

Sundimi i Ligjit

VLERA E PROJEKTIT:

Kostoja totale e projektit: 384,756.50 euro (Kontributi i BE-së: 346,280.85 Euro)

KOHËZGJATJA:

Data e fillimit: 1 janar 2022 Data e mbarimit: 31 dhjetor 2023

PARTNERI ZBATUES:

Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC)

PËRFITUESI I DREJTPËRDREJTË:

Punëtorët, punëdhënësit, institucionet e drejtësisë (gjykata, prokuroria e shtetit, policia), OSHC-të lokale, grupet joformale, gazetarë, aktivistët e të drejtave të njeriut, punonjësit e mundshëm të ardhshëm.

PARTNERËT:

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative (BIRN)

MBULIMI/NDIKIMI:

Mbrojtja e të drejtave të punës të grupeve të cenueshme në Kosovë, duke përfshirë punëtorët që kanë nevojë për mbrojtje, gratë, të rinjtë, komunitetet etnike joshumicë dhe personat me aftësi të kufizuara; Zhvillimi i kapaciteteve të bartësve të detyrës, duke përfshirë gjyqtarët, prokurorët dhe policinë, si dhe gazetarët dhe OSHC-të; Promovimi i të drejtave të punës në Kosovë duke punuar së bashku me institucionet kryesore, duke përfshirë institucionet e drejtësisë (gjykatën, prokurorinë e shtetit, policinë dhe Avokatin e Popullit), Inspektoratin e Punës dhe Administratën Tatimore.

OBJEKTIVI I PËRGJITHSHËM:

Objektivi i përgjithshëm i veprimit të propozuar është përmirësimi i kushteve të punës për kategoritë e cenueshme të punonjësve, veçanërisht brenda sektorit privat, duke përfshirë shëndetin dhe sigurinë në vendin e punës për gratë dhe burrat, përmes promovimit të dialogut social midis punëtorëve dhe bartësve të detyrës. Objektivat specifike janë: i) Të forcohet pajtueshmëria me ligjet e punës me anë të monitorimit dhe raportimit të drejtpërdrejtë të rasteve të shkeljes së të drejtave të punës; ii) Të forcohen kapacitetet e bartësve të detyrës dhe OSHC-ve për të punuar në të drejtat e punës; iii) Të ngritet vetëdija e publikut për ligjin e punës.

QËLLIMET E PROJEKTIT:

Shkelja e të drejtave të punës, veçanërisht të grupeve të cenueshme pas pandemisë, e ka kërcënuar sundimin e ligjit për sa u përket të drejtave të punës në Kosovë. Duke i synuar punonjësit e sektorit privat dhe publik përmes krijimit të një mekanizmi për raportim online dhe monitorim të rasteve në Inspektoratin e Punës dhe institucionet e tjera relevante, siç janë rastet gjyqësore në të cilat punonjësit kanë përjetuar lëndime të rënda në vendin e punës. Për më tepër, ngritja e kapaciteteve të bartësve të detyrës, OSHC-ve, gazetarëve dhe të rinjve për të drejtat e punës do të krijojë nevojën për zbatimin e ligjit të punës në praktikë ose në mjediset e punës. Në anën tjetër, fushata për ligjin e punës do t’i shtojë njohuritë për të drejtat e punës së punëtorëve, ndërsa të gjitha veprimet së bashku do ta mobilizojnë dhe forcojnë pozitën e punëtorëve në mjedisin e punës në Kosovë.

STRATEGJIA E PROJEKTIT:

Raportet ndërkombëtare siç është Dokumenti i Punës i Stafit të Komisionit për Kosovën 2020 e dëshmojnë më tej zbatimin e pamjaftueshëm të ligjit të punës në Kosovë, veçanërisht në mesin e grupeve të cenueshme të të punësuarve. Projekti do ta përfshijë punën e drejtpërdrejtë me punonjësit, punonjësit potencialë të ardhshëm, aktorët kryesorë, kompanitë private, qytetarët dhe OSHC-të të cilat luajnë rol qendror në avokimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të grupeve më të cenueshme të punonjësve. Për arritjen e rezultateve përmes aktiviteteve siç është krijimi i një platforme për një seksion të veçantë për raportimin e shkeljeve të të drejtave të punës, monitorimin dhe raportimin e rasteve të punësimit në të cilat punonjësit kanë qenë viktima të lëndimeve në punë, ngritja e kapaciteteve dhe trajnimi i bartësve të detyrave, trajnimi për ngritjen e kapaciteteve të OSHC-ve, gazetarëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut, ngritja e vetëdijes së publikut për Ligjin e Punës, krijimi i konsorciumit të OShC-ve për të avokuar për ndryshimet në ligjin e punës, dhënia e nëngranteve për OSHC-të, avokatët dhe subjektet e tjera të regjistruara për t’i promovuar të drejtat e punës. Këto aktivitete do ta sigurojnë zbatimin efektiv, cilësinë e shërbimeve juridike dhe krijimin e strukturave të qëndrueshme për punën e ardhshme në promovimin e të drejtave të punës. Këto aktivitete do të ofrohen nga ekspertët dhe do të dizajnohen për t’i përmbushur nevojat thelbësore teknike të stafit që merret me rastet e punonjësve. Theksi do të vihet në format teorike dhe praktike të të mësuarit, me lidhje të forta me aplikimin në praktikë, të shoqëruar nga asistencë teknike shtesë, mentorim dhe mbikëqyrje. Thelbësor për realizimin e suksesshëm të tërë punës së ATRC-së dhe BIRN-it në Kosovë kanë qenë bashkëpunimi dhe përfshirja e të gjitha palëve me interes. Një konsorcium i OSHC-sh do të krijohet për t'i konsultuar dhe përfshirë akterët relevantë në hartimin, planifikimin, monitorimin dhe avokimin për të drejtat e punës. Kjo përfshin konsultimin me sindikatat, autoritetet qendrore dhe lokale, OJQ-të që i mbrojnë të drejtat e njeriut, më saktësisht të drejtat e punës, viktimat e lëndimeve në punë dhe aktivistët. Kjo qasje pjesëmarrëse do t’i kontribuojë qëndrueshmërisë së projektit, duke i fuqizuar të drejtat e punonjësve, akterët kombëtarë, posaçërisht përfituesit, do ta krijojë ndjenjën e zbatimit të ligjeve dhe përgjegjësisë dhe do ta forcojë rolin e shoqërisë civile në Kosovë. Projekti do të punojë drejt vënies së lidhjeve të përhershme midis institucioneve qeveritare dhe organizatave të shoqërisë civile si një mënyrë për ta rritur qëndrueshmërinë dhe ndikimin e veprimit. Në themel të të gjitha aspekteve të projektit është zotimi për t’i respektuar të gjithë sektorët e popullsisë, duke përfshirë pakicat dhe të rinjtë, si dhe për ta promovuar barazinë gjinore.

AKTIVITETET:

1. Krijimi i një seksioni të posaçëm në platformën e KALLXO.com për raportimin e “shkeljeve të të drejtave të punës”; 2. Organizimi i inspektimeve të përbashkëta me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Inspektoratin e Punës; 3. Monitorimi i raporteve të qytetarëve për shkelje të të drejtave të punës në institucionet relevante: 4. Organizimi i një punëtorie treditore për të drejtat e punës në Kosovë; 5. Trajnimi për 20 bartës të detyrave për t’i përforcuar kapacitetet e tyre për të punuar në rastet e shkeljes së të drejtave të punës; 6. Trajnimi për gazetarët për raportimin për të drejtat dhe shkeljet e punës; 7. Intervistimi i 50 bizneseve, 20 punonjësve (personave me aftësi të kufizuara, pakicave etnike, grave, të rinjve) dhe analizimi i nivelit të zbatimit të ligjit; 8. Zhvillimi e një fushate në mediat sociale; 9. Krijimi i një konsorciumi të OSHC-ve për të avokuar për ndryshime në ligjin e punës; 10. Organizimi i seancave të informimit për ligjin e punës në komunat e Kosovës; 11. Nisja e një skeme të nëngranteve nëtë cilën jepen deri në 20 nëngrante me vlerë midis 5000 dhe 10000 eurosh për sindikatat, OSHC-të, grupet e avokatëve dhe grupet (subjektet) e tjera të regjistruara për t’i promovuar të drejtat e punës, për t’i raportuar shkeljet, për të zhvilluar hulumtime dhe për t'u angazhuar në dialog social me autoritetet publike.

REZULTATI:

● Në platformën KALLXO.com janë raportuar përafërsisht 100 raste të shkeljeve të të drejtave të punës; ● Janë bërë 30 inspektime të përbashkëta me Inspektoratin e Punës dhe ATK-në; ● Janë monitoruar 30 raste të ankesave; ● Deri në 20 nëngrante u janë shpërndarë grupeve që merren me të drejtat e punës dhe që i promovojnë ato, duke arritur te më shumë se 5000 punonjës; ● Bartësit e detyrës janë trajnuar për trajtimin e rasteve të të drejtave të punës dhe komunikimit publik; ● Mbi një milion njerëz arrihen përmes kanaleve televizive, online dhe mediave sociale përmes raporteve të mediave për të drejtat e punës, në shtëpi, ndërsa jepen edhe bursa; ● Institucioneve relevante u jepen rekomandime konkrete për ndryshimet e nevojshme në legjislacion përkitazi me të drejtat e punës.